Për të vënë në skenë gjendje shpirtërore, për të dhuruar një buqetë emocionesh, përmes një historie që prek realitetin duke mbajtur distancën prej tij edhe jashtë Tiranës, Festivali “De Fest”, prej 19 shtatorit, ka ngritur siparin.
Një festival teatror i kthyer tanimë në traditë, që bëhet një pikë takimi për artistë nga Shqipëria e jashtë saj. Prej 4 vitesh, Festivali “De Fest Apolonia” u jep mundësi trupave teatrale t’i flasin përmes aktrimit edhe publikut në rrethe. Rrëfimi ka nisur me shfaqjen “Këngëtarja tullace” e autorit Eugène Ionesco e me regji të Spiro Dunit, për të treguar rëndësinë e çdo çasti, pasi çdo tik-tak i orës është një hap para nesh.
“De Fest Apolonia”, i cili në katër vite ka mundur të krijojë një jehonë e pritshmëri te publiku vendës, por edhe trupat teatrore që marrin pjesë, do të vijojë deri në 25 shtator, me pjesëmarrjen e 9 teatrove nga Fieri, Tirana, Gjirokastra, Rajoni i Pulias, Gjilani, Budva e Shkodra. Drejtori i Festivalit, Agron Xoxe, së bashku me regjisorin Milto Kutali, përveç shfaqjeve, duan ta fokusojnë vëmendjen te debati për teatrin dhe zhvillimin e tij, veçanërisht në rrethe.
Turnetë lokalë janë domosdoshmëri për të zgjuar dhe rikthyer vëmendjen e njerëzve tek ushqimi shpirtëror, nevojë veçanërisht në jetët kulturore të qyteteve të vogla.
Janë gjithsej 9 shfaqje (teatri i Budvës vjen me një operë), 7 do të shfaqen në teatrin “Bylis”, ndërsa 2 prej tyre “Zoo Story” dhe “Rro për me tregue” do të shfaqen ne Apoloni, në Manastirin e Pojanit, pas tryezave të debatit, që do të zhvillojnë profesionistët e teatrit, mes të cilëve përmendim: Fadil Hysa, Nebi Islami, Miho Gjini, Josif Papagjoni, Aqif Mulliqi etj. Festivali “De Fest 2019” organizohet nga Bashkia Fier, në kuadrin e projektit turne, Programi IPA, ItaliShqipëri-Mal i Zi.
Clik http://www.panorama.com.al/de-fest-apolonia-ne-fier-festohet-me-teater/